Çantat e rënda deformojnë boshtin kurrizor

Një ndër shkaktarët më të shpeshtë të lakimeve të boshtit kurrizor janë çantat e rënda të shkollës, sidomos te fëmijët e vegjël. Mjekët hedhin alarmin se mbi shpinën e një fëmijë 6-10 vjeç, pesha e çantës nuk duhet te kaloj 10% deri në 15% të peshës trupore.

Dr. Sanije Hajrizaj – Geci
Fiziatër
tel. 044 197 89

Rreth 40% e fëmijëve kanë deformime të boshtit kurrizor, sidomos vajzat. Çantat e shkollës, nëse kanë një peshë të rëndë, krijojnë shtypje të vertebrave dhe kjo ndikon direkt në deformimin e shtyllës kurrizore. Pesha që një fëmijë mund të mbajë nuk është e përcaktuar, por ajo duhet të jetë sipas moshës.

Pra, një fëmijë 6 apo shtatëvjeçar nuk mund të mbajë një peshë mbi 10 kg, siç është ajo e çantës. Gjithashtu, edhe ngarkesa mësimore duhet të jetë e kontrolluar, ashtu si edhe ngarkesa fizike e tyre. Çdo lloj mbingarkese është e dëmshme.

Librat janë mjaft të rënda, tani çdo tekst ka fletoret e punës, duke bëtë dyfishin e volumit. Përpos kësaj, tani ka më shumë mjete didaktike, të cilat nxënësit i mbajnë çdo ditë në çantë, si set vizatimi, set matematike, etj. Edhe çantat si të tilla pa libra vitet e fundit janë më të rënda. Madje, disa syresh kanë edhe aksesorë të tepërt, duke e shtuar peshën.

Të gjithë këtyre elementëve u shtohet cilësia e librit, e cila lë për të dëshiruar. Botuesit janë kujdesur shumë që librat të jenë të ilustruar mirë e me shkronja të mëdha, por nuk janë kujdesur që ato të jenë të lehtë dhe praktikë.

Duhet pasur parasysh se çanta e shkollës të ketë formë anatomike, të jetë e fortë, të bartet në dy krahët, ta ketë dorezën për bartje, të mos jetë mbi nivelin e krahëve dhe nën nivelin e belit. Bartja e çantave të rënda posaqërisht në njërin krah sjell deri te asimetria dhe lakimi i boshtit kurrizor, sepse muskujt e boshtit kurrizor nuk janë të forcuar dhe nuk mund të durojnë pesha të tilla.

Faktor tjetër i lakimit të boshtit kurrizor është edhe qëndrimi dhe ulja e gabuar në karriget e shkollës.

Pasojat e një çante të rëndë në kurrizin e një fëmije nuk vërehen vetëm tani, por kur të rritet. Fillimisht ata ndiejnë lodhje dhe çrregullime të tjera shëndetësore. Kockat e një fëmije janë në formim e sipër dhe çdo lloj mbingarkese sjell çrregullim. Por ajo çka është më problematike, një çantë e rëndë e lë fëmijën me pasoja për gjithë jetën.

Deformitetet më të shpeshta të boshtit kurrizor tek nxënësit janë: skolioza dhe kifoza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *